Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on whatsapp

EDUKIMI SEKSUAL PËRGJATË FËMIJERISË SË HERSHME

 

Edukimi seksual dhe temat mbi seksualitetin me fëmijët vazhdojnë akoma të jenë çështje delikate dhe akoma jo aq të natyrshme në temat dhe diskutimet familjare. Megjithatë, edukimi seksual dhe shëndeti seksual i fëmijës është një aspekt i rëndësishëm i mirëqënies dhe zhvillimi të tij.

Fillimi i një bisede rreth seksualitetit herët dhe vazhdimi i kësaj bisede ndërsa fëmija rritet është strategjia më e mirë e edukimit seksual. Kjo i lejon prindërit të shmangin një fjalim të madh (dhe ndoshta më të vështirë) kur fëmija arrin adoleshencën.

Prindërit shpesh tentojnë ta shmangin bisedën mbi edukumin seksual dhe seksualitetin në fëmijëri për shkak se i tremben faktit se sa informacion mund t`u japin fëmijëve të tyre në këtë fazë zhvillimi.

Sygjerimi i parë që jepet kur flisni me fëmijët tuaj për seksualitetin, është që t`i shpjegoni gjërat në një mënyrë që fëmija juaj të mund të kuptojë, duke pasur parasysh moshën dhe nivelin e zhvillimit të tyre.

Çdo fëmijë është i ndryshëm, por më poshtë do të jenë disa udhëzime për ato që fëmijët duhet të jenë në gjendje të kuptojnë rreth seksualitetit dhe riprodhimit në faza të ndryshme të zhvillimit të tyre.

Fëmijët: 13 deri në 24 muaj

Fëmijët e vegjël duhet të jenë në gjendje të njohin dhe emërtojnë të gjitha pjesët e trupit, përfshirë organet gjenitale. Përdorimi i emrave të saktë për pjesët e trupit do t’i lejojë ata të komunikojnë më mirë çdo çështje shëndetësore, lëndime ose abuzim seksual. Gjithashtu i ndihmon ata të kuptojnë se këto pjesë janë po aq normale sa çdo tjetër, gjë që nxit vetëbesimin dhe një imazh pozitiv të trupit.

Rreth moshës dy vjeç fëmijët fillojnë të kuptojnë ndryshimin midis mashkullit dhe femrës dhe zakonisht mund të kuptojnë nëse një person është mashkull apo femër. Fëmijët e kësaj moshe duhet ta dinë që trupi i tyre është privat. Është normale që fëmijët e kësaj moshe të eksplorojnë trupat e tyre, gjë që përfshin prekjen e organeve gjenitale, por ata duhet të kuptojnë kur dhe ku është e përshtatshme ta bëjnë këtë.

Fëmijët: 2-4 vjeç

Shumica e fëmijëve të kësaj grupmoshe fillojnë të kuptojnë vetë bazat e riprodhimit: spermatozoidi dhe veza bashkohen, dhe foshnja rritet në mitër. Në varësi të nivelit të tyre të të kuptuarit dhe interesit, ju mund t’u tregoni fëmijëve për historinë e tyre të lindjes dhe t’i tregoni se kjo nuk është mënyra e vetme që bëhen familjet. Mos mendoni se duhet të shpjegoni gjithçka menjëherë. Fëmijët gjatë kësaj moshe janë të interesuar për shtatzëninë dhe foshnjat, sesa për aktin e seksual.

Fëmijët gjatë kësaj moshe duhet ta kuptojnë se trupi i tyre është i tyre dhe askush nuk mund ta prekë trupin e tyre pa lejen e tyre. Ata duhet të dinë se njerëzit e tjerë mund t’i prekin në disa mënyra, por jo në mënyra të tjera dhe se askush nuk duhet të kërkojë të prekë organet gjenitale të tyre, përveç prindërve të tyre ose kujdestareëve/edukatorëve. Nëse ata e dinë se çfarë është e përshtatshme dhe çfarë jo, ata do të kenë më shumë gjasa t’ju tregojnë nëse përjetojnë abuzim seksual ose forma të tjera të ngacmimeve apo lëndimeve.

Në këtë moshë, fëmijët gjithashtu duhet të mësojnë të pyesin para se të prekin dikë tjetër (p.sh. përqafimi, gudulisja) dhe duhet të fillojnë të mësojnë rreth kufijve (p.sh., duke kuptuar që kur dikush shkon një hap larg, ose thotë STOP fëmija juaj duhet të respektojë sinjalin e atij personi për hapësirën personale)

Mësojini fëmijët rreth privatësisë rreth çështjeve të trupit. Për shembull, ata duhet të dinë kur është e përshtatshme të jenë lakuriq (në tualet, kur bëjnë dush, në dhomën e tyre personale).

Fëmijët gjithashtu duhet të mësojnë më shumë për pjesët e tjera të trupit dhe funksionet e trupit, përfshirë këtu edhe për organet gjenilate të vetes por edhe të seksit tjetër.

Fëmijët 5-8 vjeç

Shumica e fëmijëve të kësaj moshe kanë filluar të eksplorojnë trupat e tyre. Ne të rriturit, por edhe fëmijët duhet të kuptojnë se kjo është normale, por kryhet në mjedise private.

Fëmijët gjatë kësaj moshe duhet të kuptojnë parimet kryesore të privatësisë, nudiditetit dhe respektit për të tjerët në marrëdhënie.

Shumë e rëndësishme përgjatë kësaj moshe është mësimi i fëmijëve që të përdorin kompjuterin dhe pajisjet e tjera në mënyrë të sigurtë. Fëmijët përgjatë kësaj moshe duhet të mësojnë edhe për privatësinë, nudititetin dhe respektin për të tjerët edhe në kontekstin dixhital.  Ata duhet të jenë të informuar për rregullat për të folur me të huaj dhe për të ndarë foto private në internet dhe çfarë të bëjnë nëse hasin veprimë ose situata të pakëndshme.

****

Fillimi i një bisede rreth seksualitetit herët dhe vazhdimi i kësaj bisede ndërsa fëmija rritet është strategjia më e mirë e edukimit seksual. Disa këshilla që mund t`ju ndihmojnë rreth këtij diskutimi me fëmijët janë si më poshtë:

Mendoni per veten si ju kanë edukuar mbi seksualitetin kur keni qënë fëmijë?

A do të donit që edhe fëmija juaj të kishtë të njëjtën eksperiencë?

Jepni përgjigje të përshtatshme për moshën dhe zhvillimin e fëmijës.

Mbani mend se nuk është e nevojshme të japim informacione dhe përgjigje për pyetje që fëmija nuk na i ka bërë. Nuk është e nevojshme t`i mbingarkojmë me informacione. Kjo do të thotë që të jeni të përfshirë dhe të jepni informacionin e përsahtatshëm për moshën dhe zhvillimin e fëmijës tuaj, duke iu përmbajtur asaj cfarë fëmija po pyet dhe mbi të gjitha, jini të sinqertë.

Jini të sinqertë.

Fëmijët e kuptojnë kur prindërit nuk u tregojnë atyre të vërtetën. Dhe kur kjo ndodh, fëmijët ka të ngjarë të jënë më pak pranues në të ardhmen.

Po kur nuk e dini përgjigjen ose si t`jua shpjegoni fëmijëve? Mos u shqetësoni nëse nuk e dini vetë përgjigjen. Tregojini fëmijës tuaj se pyetja ishte një pyetje e mire, por ju nuk e dini të gjithë përgjigjen dhe se së bashku mund të kërkoni përgjigjen. Kjo është edhe një mënyrë për të ngadalësuar bisedën dhe të merrni kohën e nevojshme për të formuluar në mënyrë të kuptueshme dhe të qartë përgjigjen për pyetjen e fëmijës.

Lexoni!

Ka disa libra të përshtatshëm për moshën, për seksin, gjininë dhe riprodhimin si për prindërit ashtu edhe për fëmijët. Leximi është gjithashtu një mënyrë për të kapërcyer sikletet ose vështirësitë që mund të keni rreth kësaj teme.

Mundohuni ta ktheni bisedën në një dialog.

Kur fëmijët bëjnë pyetje në lidhje me seksin, bëni edhe ju butësisht pyetje për ta. Kështu do të kuptoni se çfarë ata dinë tashmë dhe nga e kanë dëgjuar atë informacion. Në këtë mënyrë, ju mund të korrigjoni çdo informacion jo të saktë. Dialogu ngadalëson bisedën, duke ju dhënë kohë për të menduar dhe ju lejon të keni një ide më të mirë se kur të ndaleni në informacionin që doni t`i jepni.

Nëse fëmija juaj nuk ju ka pyetur mbi seksin, fillojeni ju bisedën.

Disa fëmijë janë më të ndrojtur dhe nuk kanë tendencë t`ju bëjnë pyetje lidhur me seksin apo seksualitetin. Mos prisni gjatë, fillojeni ju. Mund të niseni nga eksperienca në familjen apo komunitetit tuaj të lindjes së fëmijëve, apo kur shikoni një gru shtatzënë apo duke i pyetur se cfarë kanë mësuar në kopsht/shkollë mbi seksualitetin, gjininë, ndryshimet gjinore.

Ruani qetësinë.

Përgatiteni veten se bisedat dhe pyetjet mbi seksin mund të vijnë edhe në mjedise të papërshtatshme, kur jeni duke pritur në radhë, në një darkë me miqtë etj. Mos e humbni mundësinë dhe mos e stoponi fëmijën edhe pse po ju pyet në një moment të papërshtatshëm, por një mënyrë për t`u përgjigjur mund të jetë “pyetje e bukur, si thua të flasim për këtë në makinë/ në shtëpi?” Momente si këto janë një mundësi e mirë për të mësuar fëmijën edhe mbi privatësinë dhe ndërsa fëmija mëson mbi seksualitetin kupton që të folurit kudo për të nuk është e përshtatshme.

Mos harroni se edukimi seksual është një proces i vazhdueshëm.

Fëmijët mund të kenë nevojë që disa gjëra të përsëriten në mënyrë që ti kuptojnë. Vazhdoni të flisni dhe t`ua përsërisni dhe shpjegoni me të njëjtën ndershmëri.

 

****

Edukimi seksual në parandalimin e abuzimeve tek fëmijët

Abuzimet apo ngacmimet dhe shfrytëzimet seksuale tek fëmijët janë fenomene të cilat për fat të keq vazhdojnë akoma të jenë të pranishme edhe në kulturën tonë. Qëllimet e edukimit seksual ashtu sikurse edukimi mbi aftësitë kognitive, emocionale, fizike dhe sociale është që të pajisë fëmijët njohuri, aftësi, qëndrime dhe vlera që do t’i fuqizojnë ata që: të vlerësojnë shëndetin dhe mirëqenien e tyre; të kuptojnë se si zgjedhjet e tyre ndikojnë në mirëqenien e tyre dhe të të tjerëve; të kuptojnë dhe mbrojnë të drejtat të tyre.

Metoda më efektive për të parandaluar fëmijët nga ngacmimet apo abuzimet seksuale është duke i mësuar ata se si të mbrojnë pjesët private të trupit të tyre. Kjo mund nëpërmjet edukimit seksual dhe një nga shtyllat kryesore janë prindërit dhe nevoja që ata të kenë njohuri të mira të edukimit seksual tek fëmijët. Shkollat dhe mjediset e tjera të edukimit kanë gjithashtu një rëndësi të vecantë në mbështjen dhe promovimin e shëndetit dhe edukimit seksual përgjatë fëmijërisë.

Përfitimet e edukimit seksual, kur janë gjithëpërfshirëse, tejkalojnë informacionet vetëm mbi riprodhimin dhe rreziqet shëndetësore që lidhen me seksualitetin. Edukimi seksual është thelbësor për të parandaluar dhe luftuar abuzimin seksual ndaj fëmijëve, dhunën seksuale dhe shfrytëzimin seksual.

Konventa e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Fëmijëve kundër Shfrytëzimit Seksual dhe Abuzimit Seksual kërkon nga shtetet anëtare që “të sigurojnë që fëmijët, gjatë rritjes dhe edukimit, të marrin informacion mbi rreziqet e shfrytëzimit seksual dhe abuzimit seksual, si dhe mbi mjetet për të mbrojtur veten e tyre, të përshtatura për aftësinë dhe zhvillimin e tyre”.

Rëndësia e edukimit seksual u theksua gjatë periudhës së izolimit për shkak të pandemisë COVID-19 për të parandaluar  që fëmijët të bien pre e shkelësve seksualëngacmimeve seksale në internet.

Gjithashtu, edukimi seksual është thelbësor për të parandaluar dhunën me bazë gjinore dhe diskriminimin. Është shumë e rëndësishme që të gjitha figuarat kryesore të edukimit dhe kujdesit të fëmijës, që nga fazat e hershme të edukimit, të trasmetojnë mesazheve të qëndrueshme mbi barazinë gjinore, mos-promovimin e stereotipeve gjinore, edukimin për respekt të ndërsjellë, zgjidhjen jo të dhunshme të konflikteve në marrëdhëniet ndërpersonale.

Libra dhe materiale të tjera ndihmëse

Trupi i njeriut  Shtëpia Botuese ”Bota Shqiptare”

Amazing You! Getting Smart About Your Private Parts, Gail Saltz.

I Said No! A Kid-to-kid Guide to Keeping Private Parts Private, Kimberly King.

Who Has What? All About Girls’ Bodies and Boys’ Bodies, Robie H. Harris.

Where Did I Come From? By Peter Mayle (also on video).

Web-site informues: https://teachingsexualhealth.ca/parents/information-by-age/