Një herë e një kohë një djalosh i vogël jetonte në një lëndinë shumë të bukur. Në të kishte lule shumëngjyrshe dhe të shumëllojshme. Ai kishte një shok të pandashëm, që e ndihmonte për të zbukuruar akoma më shumë lëndinën: një shqiponjë. Shqiponja shtegtonte vazhdimisht në vende të ndryshme e me sqepin e saj sillte lule për lëndinën e djaloshit Ismail Qemali. Një ditë shqiponja solli lulen e rradhës dhe në sytë e saj të mprehtë Ismaili pa një shqetësim të madh. “Shqiponjë,-I tha Ismaili,- cfarë të ndodhi? Pse në sytë e tu shoh mërzitje dhe shqetësim?” Shqiponja i tha: “Ismail, përtej maleve të lëndinës sonë pashë një dragua që po vinte drejt lëndinës sonë Shqipe… Merakosem mos do vij këtu e do na prish lulet dhe do zotëroj lëndinën tonë”. Ismaili ishte një djalë i fortë, kurajoz dhe i zgjuar. Ai e dinte se dragonjtë ishin shumë të fortë dhe e vetmja mënyrë për t’i mposhtur ishte përmes forcës së mendjes. Ai e porositi shqiponjën të marrë shumë lule të kuqe. Shqiponja hapi krahët e saj të mëdha e krenarë e fluturojë gjithë madhështi në qiellin e pafund. Ajo erdhi me një shportë të madhe lulesh të kuqe.
Pas disa ditësh, dragoi shkatërrues arriti në lëndinë dhe u mrekullua me atë pamje aq të bukur e tha: “Ky vend është i imi dhe unë do jetoj këtu”. Dragoi ishte i madh dhe i zi si nata. Ai kishte krahë fluturues dhe në shpinë mbante një shporte me rroba dhe ushqim. Ismaili i qetë i doli përpara, por ç’të shihte, dragoi i madh që nxirrte flakë nga goja, ishte 10 metra i lartë dhe mjaft i egër. Kur pa Ismailin, ai qeshi dhe i tha “A ti do më ndalosh të qëndroj këtu? Ismaili i qetë ju përgjigj: “Kjo është një lëndinë e bukur, por ka diçka të fshehur në këtë bukuri. Nëse ti je kaq e madhe dhe e zgjuar duhet të jesh mjaftueshëm e mençur për ta zotëruar këtë lëndinë…” Dragoi mjaft krenar dhe duke e menduar veten të madh, të fuqishëm dhe të zgjuar i`u përgjigj “Sigurisht që unë jam i fuqishëm dhe i zgjuar, prandaj më thuaj, unë mund të bëj çdo gjë”.
“Që të jesh në këtë lëndinë dhe të rehatohesh këtu, të kesh ushqim me bollëk pa u lodhur dhe të qendrosh e qetë këtu, duhet t’i provosh lulet e kuqe të kësaj lëndine”. Me nxitim dragoi ju drejtua luleve të kuqe dhe i hengri të gjitha. Pa kaluar shumë, ai ra përtokë, duke krijuar një gropë të madhe dhe një pluhur shtëllungë reje. Ismaili e dinte që “lutet e kuqe” ishin fuqia e vendit të tij, dhe dobësia e të gjithë atyre që donin ta zotëronin atë pa të drejtë.
Djaloshi mori lule të kuqe të bukura të tjera të lëndinës dhe me to formoi një flamur të madh. Për të nderuar shokun e pandashëm: shqiponjën, ai vizatoi sipër këtyre luleve një shqiponjë të zezë, për të treguar fuqinë dhe mprehtësinë e këtij vendi dhe të zi si dragoi, për të treguar triumfin ndaj tij. Ismaili nuk harroi ta vizatojë me dy koka shqiponjën, për të treguar se lëndina në veri dhe jug është e tij dhe për të treguar dy anët që do i karakterizojnë njerëzit që do jetojnë në atë vend: zgjuarsia dhe forca.
Këtë flamur e mori shqiponja dhe e vari te retë e qiellit dhe i gjithë qielli u bë kuq e zi. Të gjithë e dëgjuan historinë e lëndinës së Ismailit me shqiponjën dhe nuk u afruan më te lëndina, por përgëzuan zgjuarsinë e djaloshit dhe besnikërinë e shqiponjës.
Të gjitha të drejtat e rezervuara.
TIP.AL