Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on whatsapp

Edukimi emocional dhe social në fëmijërinë e hershme

Zhvillimi emocional dhe social është një fushë e rëndësishme e zhvillimit të fëmijës. I filluar herët në jetë, të mësuarit emocional dhe social është shumë i rëndësishëm për të ndihmuar fëmijët e moshës parashkollore të kuptojnë dhe menaxhojnë emocionet e tyre, të ndjejnë dhe tregojnë empati për të tjerët, të krijojnë dhe mbajnë marrëdhënie të shëndetshme, të vendosin qëllime positive dhe të marrin vendime të përgjegjshme. 

Ndërhyrjet e duhura të mësuarit emocional dhe social nga vitet e hershme deri në vitet e shkollës do të promovojnë zhvillimin e suksesshëm të aftësive sociale dhe emocionale që do të cojnë në marrëdhënie të shëndetshme ndërpersonale në të ardhmen, shoqërimin me bashkëmoshatar jo të dhunshëm dhe përmirësimin e arritjeve akademike.

Për të promovuar në mënyrë efektive mësimin e hershëm të aftësive sociale dhe emocionale gjatë fëmijërisë së hershme, ndërhyrjet duhet të shtrihen dhe të integrohen në programet e edukimit dhe kujdesit ndaj fëmijëve, komunitetit por edhe familjes.

Por çfarë aftësish sociale dhe emocionale mund t`u mësojmë fëmijëve gjatë fëmijërisë së hershme?

Edukimi mbi emocionet; bëjeni të folurit për emocionet pjesë të bisedave tuaja me fëmijët. Edukojini ata për emocionet e ndryshme që ndjejmë, si reagon trupi unë ndaj këtyre emocioneve, si i shprehim emocionet e ndryshme. Përpiquni t`i jepni një emër reagimeve emocionale të fëmijës; “Fytyra jote më tregon që je shumë i mërzitur që humbe lodrën tënde”; jini empatik me ta “Më vjen shumë keq për këtë”. Përpiquni që të gjeni mënyra se si fëmijët të menaxhojnë emocionet e forta “Më dukesh shumë i inatosur, dëshiron që të bëjmë një frymëmarrje të thellë së bashku dhe më pas të më tregosh se çfarë ka ndodhur që të ka inatosur kaq shumë?” Tregojini fëmijës si ndjeheni ju, çfarë emocionesh jeni duke përjetuar dhe se keni nevojë për pak kohë që të rimerrni veten.

 

Mësojini empatinë: Programet e edukimit por edhe prindërit mund ta promovojnë empatinë për të zhvilluar kështu edhe inteligjencën emocionale duke nxitur fëmijët të mendojnë se si ndjehen njerëzit e tjerë. Mund të fillohet duke “u bërë kureshtar” për ndjenjat e vetë fëmijës, ose situata që kanë ndodhur “Si u ndjeve kur humbe lodrën tënde?”, “Si të bëri të ndjeheshe kjo histori?” Sapo fëmijët fitojnë shkathtësi për të shprehur ndjenjat e tyre dhe reagimet emocionale, mund të bëhen pyetje se si të tjerët ndjehen; “Si mendon se u ndje Ana kur ti ja more lodrën që ajo po lunate?” Duke iu përgjigjur pyetjeve në lidhje me emocionet, fëmijët mund të fillojnë të mendojnë se si veprimet e tyre mund të ndikojnë në emocionet e atyre përreth tyre.

 

Mësojini fëmijët të bashkëpunojnë; bashkëpunimi është një aftësi që përfitohet më së shumti nga eksperienca e drejtëpërdrejtë. Dhënia e mundësisë fëmijëve për të bashkëvepruar dhe luajtur me të tjerët është një nga mënyrat më të mira për t`i mësuar ata se si të ndërveprojnë më të tjerët dhe të fitojnë shkathtësi sociale.

 

Ndërsa fëmijët luajnë dhe bashkëveprojnë, ata gjithashtu fillojnë të zhvillojnë aftësi sociale për zgjidhjen e problemeve. Ndërveprimet e para mund të përfshijnë shumë debate dhe konflikte me vëllezërit/motrat ose bashkëmoshatarët, por dalëngadalë, fëmijët mësojnë se si të negociojnë dhe të bëjnë kompromis me fëmijët e tjerë.

 

Ndërhyni të menaxhoni konfliktet duke modeluar sjelljet e përshtashme. Nëse fëmija ju sheh duke ndarë, duke shprehur mirënjohje, duke qenë i dobishëm dhe duke shprehur ndjenjat, fëmija juaj do të ketë një kuptim dhe model më të qartë si të ndërveprojë me njerëz të tjerë.

 

Më e rëndësishmja, sigurohuni që ta lavdëroni kur fëmija demonstron sjellje të mira sociale. Kjo ndihmon fëmijët të ndihen mirë me veten e tyre gjithashtu luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin e një ndjenje empatie dhe kompetence emocionale.

 

Duke krijuar një klimë positive ku fëmijët lejohen të ndajnë ndjenjat e tyre fëmijët shumë natyrshëm do të fitojnë dhe praktikojnë shkathtësitë emocionale dhe sociale.

 

Ne në TiP i japim një rëndësi të veçantë edukimit emocional dhe social të fëmijëve. Fëmijët në TiP ndjekin orë të veçanta të edukimit mbi emocionet dhe aftësitë sociale ku njihen jo vetëm me emocionet e ndryshme që përjetojmë dhe reagimet fiziologjike që ato shoqërohen por nëpërmjet situatave dhe ndërhyrjeve të përshatura ndihmohen të fitojnë aftësi për menaxhimin e emocioneve, rritjen e vetëbesimit dhe vetëvlerësimit për veten, zgjidhjen e situatave të ndryshme, marrjen e vendimeve positive si dhe zhvillimin e empatisë dhe përmirësimin e marrëdhënieve me bashkëmoshatarët.